|
Të nderuar, Ministria për Transport dhe Lidhje i demanton komentet e kryetarit të Qytetit të Shkupit dhe të një pjese të këshilltarëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit se me “Ligjin për pastërti publike vendoset kompenzim i ri i cili do të paraqesë harxhim plotësues për qytetarët”, e me këtë ne Ju informojmë se qëllimi i sjelljes së Ligjit nuk është që të ngarkohet buxheti i qytetarëve dhe me të nuk parashihet pagesa e kompenzimit të ri për pastërti publike, por përkundrazi, me Ligjin parashihet shfrytëzim më racional të mjeteve që qytetarët deri tani i kanë paguar për shërbime komunale. Thënë thjesht, sipas Vendimit të Këshillit të Qytetit të Shkupit nga viti 1993 është paraparë që 22% e të ardhurave që realizohen me anë të pagesës së llogarive për shfrytëzimin e ujësjellësit të ndahen për mirëmbajtje, ruajtje dhe pastrim të sipërfaqeve të gjelbërta publike, kurse pas rritjes së çmimit në shkurt 2008, në prill 2008 u nënshkrua Protokol mes NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, NP “Parqe dhe gjelbërim” dhe Qytetit të Shkupit për rregullimin e ndarjes prej 17.5% të të ardhurave që realizohen përmes pagesës së mjeteve për shfrytëzimin e ujësjellësit dhe kanalizimit. Ky Protokol është miratuar nga Këshilli drejtues i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, në maj të vitit 2008. Njëkohësisht NP “Higjiena komunale” qysh nga viti 1993 bën pagesë të veçantë për shërbimet e pastrimit të hapësirave publike dhe ngritjes së mbeturinave që i kryen, në pajtim me Listën e çmimeve të miratuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. Ju njoftojmë se Ligji për pastërti publike është sjellë me qëllim që të rregullohet kaosi që dominon në sferën e çështjeve komunale dhe higjienës publike. Në këtë ligj janë paraparë të gjitha aktvendimet përmes të cilave qartë janë të ndara kompetencat në mes institucioneve dhe subjekteve, të cilët janë të obliguar për mbajtjen e pastërtisë publike si në vende publike, sipërfaqet e hapura, ashtu edhe në mes subjekteve, në aspekt të zbatimit të dispozitave të Ligjit. Minitria për Transport dhe Lidhje në procesin e përgatitjes së Ligjit për pastërti publike bazohej në përvojat pozitive të vendeve me zhvillim të lartë që zbatojnë kësilloj rregulloreje ligjore dhe në tërë këtë proces u konsultuan edhe përfaqësues nga vetqeverisja lokale. Procesi i implementimit të Ligjit për pastërti publike gjithashtu nënkupton bashkëpunim me komunat, prandaj pikërisht për këtë Ministria për Transport dhe Lidhje dërgon ftesë deri te kryetari i Qytetit të Shkupit, Z. Trifun Kostovski si dhe deri te përfaqësuesit e Këshillit të Qytetit të Shkupit për bashkëpunim në procesin e implementimit të Ligjit dhe realizimin e të vetmit qëllim - përmirësimin e pastërtisë publike në Republikën e Maqedonisë. Me nderime, Ministria për Transport dhe Lidhje |








